VIII. BURIMET DHE GAZETARI

Burimet e gazetarëve janë të rëndësishme sepse mundësojnë informimin e publikut me informacione që ndryshe nuk do të bëheshin publike. Duke ofruar informata, burimet shpesh rrezikojnë, ndër të tjera, edhe karrierën e tyre. Pa burime, gazetarët do të vareshin për qasje në informacione vetëm nga vullneti i autoriteteve publike.

Vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit, mijëra sekrete shtetërore janë publikuar falë guximit të burimeve të gazetarëve që të rrjedhin informata. Vlen të përmendet si shembull publikimi i Letrave të Panamasë (Panama Papers) që dëshmoi se politikanë në vende të ndryshme nuk kishin deklaruar se shfrytëzojnë kompani ‘offshore’ për të paguar më pak tatime. Afera Letrat e Panamasë çoi në dorëheqjen e kryeministrit të Islandës, protesta kundër qeverisë në disa vende dhe një numër të madh hetimesh.

Në këtë rast, informatat i ishin zbuluar gazetarit nga një burim i quajtur si “John Doe” i cili nuk ka pranuar të flasë publikisht me ç'rast nuk dihet nëse ai është sinjalizues apo vetëm burim (sinjalizimi do të trajtohet në detaje në kapitullin e nëntë). Për të kuptuar të drejtën e mbrojtjes së burimeve anonimë të gazetarëve duhet të sqarohet se çfarë nënkuptohet me termin gazetar, informacion dhe burim. Një gjë e tillë është e rëndësishme sepse jo të gjithë personat që publikojnë informata gëzojnë mbrojtje.

Ende nuk ekziston një përkufizim universal për gazetar, gazetari dhe informacion për shkak se shtetet – nën presionin e shoqërisë civile dhe zhvillimeve teknologjike – hezitojnë të draftojnë përkufizime të cilat mund të rezultojnë kufizuese nga perspektiva e lirisë së shprehjes. Mirëpo, përkufizime mjaft të pranuara dhe që janë përdorë nga disa shtete si pikënisje edhe për legjislacion kombëtar janë ato të hartuara sipas Rekomandimit Nr. R (00) 7 të Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare të BE-së për të drejtën e gazetarëve që të mos zbulojnë burimet e tyre të informacionit. [i]

Disa prej tyre janë të shtjelluara si në vijim.

Gazetar - Gazetari është person fizik që punon rregullisht dhe paguhet për punën që bën. Ky përkufizim nuk përjashton gazetarët që punojnë me gjysmë orari, me angazhim të caktuar dhe jo të rregullt (freelance), gazetarët e rinj dhe ata që herë pas here bëjnë gazetari hulumtuese. Mbajtësi i informacionit të ofruar nga burimi mund të jetë jo vetëm vetë gazetari por edhe punëdhënësi i tij. Prandaj personat juridik si për shembull shtëpitë botuese apo agjencitë e lajmeve duhet të mbrohen ashtu siç mbrohen gazetarët. Termi gazetar përfshin të gjithë ata që mbledhin dhe shpërndajnë informacione në publik përmes çfarëdo mjeti të komunikimit masiv por përjashton personat që krijojnë dhe shpërndajnë korrespondencë të personalizuar dhe reklama. Gazetarët e shtypit, foto-reporterët, gazetarët e radiove, gazetarët e mediave audiovizuele dhe gazetarët që punojnë për media që funksionojnë përmes kompjuterit përfshihen në këtë përkufizim.

Informacion - Gazetarët janë ata që vendosin se çfarë informacioni përbën lajm. Vlera e informacionit për publikun apo shkalla e interesit publik në informacion nuk është faktor vendimtar në të drejtën e gazetarëve që të mos zbulojnë burimet e tyre. Informacion nuk konsiderohen vetëm faktet por edhe mendimet dhe idetë.

Burim - Çdo person që i ofron informacione një gazetari duhet të konsiderohet si burim. Informacioni mund të jepet në formë aktive, për shembull kur burimi i dërgon në formë të shkruar ose në formë fotografie një informacion gazetarit. Mirëpo, informata konsiderohet se është ofruar edhe kur burimi është pasiv dhe vetëm miraton marrjen e informacionit nga gazetari, për shembull xhirimin ose incizimin e informacionit.

Informacion që identifikon një burim - Në mënyrë që të mbrohet burimi i gazetarit, informatat në vijim duhet të mbrohen: të dhënat personale të burimit, zëri dhe fotografitë që e identifikojnë atë; detajet rreth marrjes së informacionit – koha dhe vendi i takimit me gazetarin; mënyrën e korrespondencës ose detajet e marrëveshjes në mes të burimit dhe gazetarit; të dhënat e papublikuara të ofruar nga gazetari dhe të dhënat personale të gazetarit dhe punëdhënësit të tij të ndërlidhura me punën profesionale. [ii]

8.1 Mbrojtja e burimeve

Suksesi i punës së gazetarëve mbështetet tek sigurimi i informatave të besueshme. Kjo kërkon përdorimin e burimeve të ndryshme dhe kur burimet janë individë, këta të fundit nganjëherë u japin informata gazetarëve nën kërkesën e anonimitetit. Prandaj, për të siguruar që publiku të jetë i informuar mirë dhe që burimet të ndihen të sigurt për të folur me gazetarë duhet siguruar mbrojtja e këtyre burimeve.

Për çdo gazetar, mbrojtja e burimeve është një prej themeleve të punës së përditshme. Sipas tyre, mbrojtja e burimeve, krijon dhe forcon besimin reciprok mes dy palëve dhe është bazë e mirë për më shumë informacion të besuar, të verifikuar dhe të kujdesshëm.

Mbrojtja e burimeve konfidenciale të informacionit është një nga parimet themelore të operatorëve të medias, sipas rregullimit të ligjit të medias. Veç kësaj, Neni 159 i Kodit të Procedurës Penale i përfshin gazetarët mes profesioneve që nuk janë të detyruar ta zbulojnë burimin e informacionit, duke e konsideruar atë sekret profesional. Megjithatë, me vendim gjykate mund të provohet se burimi i informacionit është një provë themelore dhe gazetarëve mund t’u kërkohet zbulimi i tij.

Gazetarët kanë obligim etik që të mos zbulojnë burimet e tyre të informacionit. Kjo përgjegjësi është e rregulluar pothuajse me të gjitha kodet etike të gazetarëve në botë.
Mbrojtja e burimeve është e rëndësishme sepse burimet ofrojnë informata nën kushtin që të mos zbulohet identiteti i tyre. Zbulimi i burimeve mund të çojë në rrezikimin e sigurisë dhe karrierës së tyre. Një gjë e tillë mund të ketë efekt frenues (nocion i zhvilluar nga GjEDNj) në burime dhe të shkurajojë ato që të zbulojnë informacione për të cilat publiku ka interes të informohet. Efekti frenues mund të krijohet edhe nëse gazetarët vetëm shihen duke ndihmuar në cilëndo mënyrë autoritetet në zbulimin e burimeve anonime.

Kush mund të kërkojë zbulimin e burimeve? Zbulimi i burimeve të informacioneve kryesisht kërkohet nga autoritetet shtetërore, përfshirë por duke mos u kufizuar në, policinë, prokurorinë, gjykatën dhe agjencitë zbatuese të ligjit. Edhe kompanitë private mund të kërkojnë zbulimin e tyre duke shfrytëzuar mjete ligjore.

Kërkesa e autoriteteve për zbulim mund të paraqitet shpesh në mënyrë ‘private’ përmes takimeve me gazetarë ose përmes komunikimit elektronik. Në raste të tilla, kur nuk ekziston urdhër i lëshuar zyrtarisht nga një institucion, refuzimi nga ana e gazetarit është më i lehtë pasi që me këtë veprim nuk konsiderohet se është duke shkelur ndonjë kërkesë apo obligim ligjor.

Në rastet kur policia apo prokuroria kërkon zbulimin e burimit, gazetari duhet të jetë i informuar që nuk është i detyruar të ofrojë informacione. Nëse një zyrtar policor dëshiron të ketë qasje në identitetin e burimit të gazetarit ose në dokumente dhe pajisje që mund të çojnë në identifikimin e burimit, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me urdhër të gjykatës. I njëjti parim vlen edhe në rast se prokurorët apo kushdo tjetër kërkojnë qasje në burime të gazetarëve.

Nëse gjykata urdhëron zbulimin e burimit, gazetari ka të drejtë të ndërmarrë dy veprime: të sfidojë gjykatën duke mos e zbatuar urdhrin ose t’i bindet gjykatës dhe të zbulojë identitetin e burimit. Në rastin e parë, është më rëndësi që gazetari të jetë i përgatitur që mund të ballafaqohet me gjobë ose edhe me dënim me burg për mospërfillje të gjykatës (contempt of court) në rast se refuzon të zbatojë një urdhër të gjykatës.

Nëse një gazetari i kërkohet nga autoritetet private ose publike të zbulojnë burimin e tyre të informacionit, si duhet të veprojë?

Rekomandimit Nr. R (00) 7 të Komitetit të Ministrave ofron sugjerime të detajuara rreth obligimeve të autoriteteve dhe të drejtës së gazetarit për të heshtur me qëllim që të mbrojë burimet. Sugjerimet vlejnë në parim për autoritete shtetërore mirëpo ato mund të përdoren nga gazetarët si argumente mbrojtëse nëse shteti nuk vepron në pajtim me këto parime:

  • ◊ E drejta e gazetarëve që të mos zbulojnë burimin – kjo e drejtë është pjesë e të drejtës së lirisë së shprehjes. Shteti duhet të miratojë legjislacion për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Rekomandohet që gazetarët të kenë njohuri të legjislacionit vendor për mbrojtjen e burimeve, kur ai ekziston.
  • ◊ E drejta e moszbulimit është e drejtë e kufizuar – Zbulimi i burimit të gazetarëve arsyetohet vetëm nëse ekziston një qëllim legjitim, nëse zbulimi është i domosdoshëm, nëse nuk mund të ndërmerren masa alternative për të evituar zbulimin e burimeve dhe kur zbulimi i burimeve mbizotëron rëndësinë e mbrojtjes së tyre. Disa raste kur mund të kërkohet zbulimi i burimeve janë: mbrojtja e jetës së njeriut dhe parandalimi i një krimi të rëndë.
  • ◊ Prova alternative në vend të burimeve të gazetarëve – Autoritetet nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga gazetarët që të kryejnë detyrën e tyre duke iu kërkuar atyre që të zbulojnë identitetin e burimeve por duhet vetë të sigurojnë prova të tjera. Për shembull, nëse është kryer një vepër penale, është përgjegjësi e prokurorisë dhe policisë të hetojë krimet e jo të kërkojë ndihmë nga gazetarët. Në raste gjyqësore të shpifjes, gjykata nuk ka të drejtë të kërkojë nga gazetari që të zbulojë burimin e informatës.
  • ◊ Kushtet që duhet të plotësohen para zbulimit të burimeve – Për të kërkuar zbulimin e burimit të gazetarëve duhet të ekzistojë urdhër gjyqësor i arsyetuar dhe bazuar në interes legjitim. Gazetarët duhet të jenë të mirë informuar për të drejtën e tyre që të mos zbulojnë burimet. Dënimet e mundshme për mos zbulim të burimeve mund të shqiptohen vetëm nga një autoritet gjyqësor.
  • ◊ Përgjimi i komunikimit, kontrollimi dhe konfiskimi gjyqësor – Urdhrat gjyqësore për përgjimin e gazetarëve dhe kontrollimin apo konfiskimin e materialeve të tyre duhet të jetë në pajtim me të drejtën e mbrojtjes së burimeve dhe nuk duhet të rrezikojnë zbulimin e identitetit të burimeve.
  • ◊ Mbrojtja kundër vetë inkriminimit – Gazetarët kanë të drejtë që, përveç të drejtës së moszbulimit të burimeve, të shfrytëzojnë edhe të drejtën e mos vetë-inkriminimit. Pra të mos deklarojnë ose ofrojnë ndonjë material që do të inkriminonte ata në një vepër penale.
8.1.1. Raste gjyqësore në GjEDNj

Efekt frenues në burimet e gazetarëve

Mbrojtja e burimeve të gazetarëve përbën një ndër kriteret themelore për lirinë e shtypit dhe pa këtë mbrojtje burimet mund të hezitojnë të ndihmojnë gazetarët që të informojnë publikun për çështje me interes publik.

Goodwin kundër Mbretërisë së Bashk


Gazetari William Goodwin kishte raportuar se një kompani kishte pësuar humbje të mëdha. [iii] Kompania pretendonte se informatat e botuara rrjedhin nga një dokument konfidencial dhe parashtroi në gjykatë kërkesë për masë të përkohshme në mënyrë që të ndalonte gazetarin të publikonte ndonjë material që rridhte nga dokumenti në fjalë. [iv] Gjykatat vendore, në disa instanca, vendosën në favor të kompanisë dhe urdhëruan gazetarin që të zbulonte burimin. Gazetari refuzoi të zbatonte urdhrin e gjykatës dhe si pasojë, ai u dënua me gjobë prej 5,000 paund për mospërfillje të gjykatës. Ai iu drejtua GjEDNj-së nën pretendimin se kërkesa për zbulimin e identitetit të burimeve të gazetarëve është në kundërshtim me të drejtën e lirisë së shprehjes.
Sipas gjykatës, mbrojtja e burimeve të gazetarëve përbën një ndër kriteret themelore për lirinë e shtypit dhe pa këtë mbrojtje burimet mund të hezitojnë të ndihmojnë gazetarët (efekti frenues) që të informojnë publikun për çështje me interes publik. Pa mbrojtje të burimeve, roli mbikëqyrës i shtypit mund të nënvlerësohet dhe po ashtu mund të ndikohet negativisht mundësia e shtypit që të ofrojë informata të besueshme. Interesi për mbrojtjen e kompanisë përmes veprimeve kundër burimit të gazetarit nuk tejkalonte interesin vital të publikut në mbrojtjen e burimit të gazetarit. Për këto arsye gjykata vendosi në favor të gazetarit dhe gjeti shkelje të së drejtës së tij për t’u shprehur.


Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e prezumimit të pafajësisë

Kontrollimet me qëllim të identifikimit të burimeve të gazetarëve, edhe pse të padobishme, përbëjnë një veprim shumë më serioz sesa një urdhër për të zbuluar identitetin e burimeve.

Roemen dhe Schmit kundër Luksemburgut

Roemen dhe Schmit kundër Luksemburgut Gazetari Robert Roemen kishte publikuar një shkrim në një gazetë ditore sipas të cilit një ministër kishte bërë mashtrim me taksa dhe ishte dënuar me gjobë fiskale. [v] Si prova gazetari paraqiti dokumente nga autoriteti tatimor. Ndaj gazetarit u iniciua hetim për fshehje të veprës penale zbulim i sekretit profesional meqë prokurori provonte të zbulonte cilët zyrtarë të autoritetit tatimor kishin rrjedhur informacionet. Me urdhër të gjykatësit hetuesit kishin kryer disa kontrolle, një në shtëpinë e gazetarit dhe një në vendin e tij të punës. Gjatë kontrollimit të zyrës së avokates së gazetarit Anne-Marie Schmit, zyrtarët sekuestruan një letër konfidenciale nga drejtori i autoritetit tatimor. Gazetari dhe avokatja iu drejtuan GjEDNj-së nën pretendimin e shkeljes së nenit 8 dhe 10.
Kontrollet me qëllim identifikimin e burimeve të gazetarëve, edhe pse të padobishme, përbëjnë një veprim shumë më serioz sesa një urdhër për të zbuluar identitetin e burimeve. Kjo për arsye se zyrtarët me urdhër të tillë për kontroll duke u shfaqur pa paralajmërim dhe befasuar një gazetar në vendin e tij të punës kanë kompetenca shumë të zgjeruara që ua mundësojnë qasjen në të gjitha dokumentet e gazetarit. Sipas gjykatës, gjykatësi hetues ka pasur mundësi të urdhërojë masa të tjera për të identifikuar fajtorët për shkeljen e sekretit profesional. Autoritetet kanë obligim që në një shoqëri demokratike t’i balancojnë interesat e përfshira në favor të lirisë së shtypit dhe kështu gjykata vendosi në favor të gazetarit dhe avokates.


Masat e shumta nga autoritetet mund të dekurajojnë burimet të flasin

Masat e ndërmarra nga autoritetet për të zbuluar burimin mund të dekurajojnë të flasin dhe të ndajnë me shtypin ata që kanë informata të vërteta dhe të sakta lidhur me parregullsi.

Voskuil kundër Holandës



Gazetari Koen Voskuil ishte ndaluar në polici për më shumë se dy javë në tentativë për ta detyruar atë që të zbulonte burimet për disa shkrime që përfshinin policinë. [vi] Pas botimit të shkrimit, gazetari ishte ftuar si dëshmitar gjatë seancave gjyqësore ku gjykohej një polic dhe kur ai u pyet nëse polici ishte i përfshirë ose në dijeni të hetimeve në banesën në fjalë, gazetari shfrytëzoi të drejtën e tij për të ruajtur burimin. Gjykata e urdhëroi gazetarin që të zbulonte identitetin por ai e shfrytëzoi të drejtën e heshtjes dhe me atë rast gjykata urdhëroi ndalimin e tij të menjëhershëm. Ai kishte deklaruar se sikur të fillonte të zbulonte burimet e tij, do të ishte e njëjtë sikur të përfundonte karrierën, pasi që burimet nuk do t’i ofronin më informacion. Pas më shumë se dy javësh gjykata e shpalli të pavlefshëm urdhrin për ndalimin e gazetarit dhe ai u lirua. Gazetari iu drejtua GjEDNj-së për shkelje të lirisë së shprehjes.
Sipas GjEDNJ-së, në një shtet demokratik ku mbizotëron sundimi i ligjit, përdorimi i metodave të papërshtatshme nga autoritetet publike është një temë për të cilën publiku ka të drejtë të jetë i informuar. Gjykata ishte habitur me të gjitha masat që autoritetet holandeze kishin ndërmarrë me qëllim që të zbulonin burimin e informacionit të gazetarit. Këto masa mund të dekurajojnë të flasin dhe të ndajnë me shtypin ata që kanë informata të vërteta dhe të sakta lidhur me parregullsi. Gjykata konkludoi që interesi i qeverisë për të ditur identitetin e burimit të informacionit nuk ka qenë i mjaftueshëm sa ta mbizotërojë interesin e gazetarit që ta ruajë atë dhe vendosi në favor të gazetarit.


E drejta e gazetarëve për të mbrojtur burimet nuk është privilegj

E drejta e gazetarëve për të mbrojtur burimet nuk duhet të konsiderohet si privilegj që mund t’u jepet apo merret atyre varësisht nga veprimet e ligjshme apo të kundërligjshme të burimeve të tyre, por është aspekt i së drejtës që shkon bashkë me të drejtën për informacion.

Tillack kundër Belgjikës



Në vitin 2002, gazetari Hans Martin Tillack botoi dy artikuj të shkruar bazuar në dokumente konfidenciale nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF). [vii] Nën dyshimin se gazetari kishte korruptuar një shërbyes civil për informata konfidenciale OLAF-i paraqiti kallëzim penal dhe institucionet përgjegjëse filluan hetimet. Më 19 Mars 2004 shtëpia dhe vendi i punës së gazetarit ishin kontrolluar dhe gati të gjitha dokumentet dhe mjetet e punës së tij ishin sekuestruar. Gazetari u ankua në GjEDNj, nën pretendimin se kontrollimi dhe sekuestrimi në shtëpinë dhe vendin e tij të punës përbënte shkelje të së drejtës për liri të shprehjes.
GjEDNj-ja ritheksoi se shtypi luan rol thelbësor në një shoqëri demokratike dhe se mbrojta e burimeve të gazetarëve është kriter bazik për lirinë e shtypit. Sipas gjykatës, e drejta e gazetarëve për të mbrojtur burimet nuk duhet të konsiderohet si privilegj që mund t’u jepet apo merret atyre varësisht nga veprimet e ligjshme apo të kundërligjshme të burimeve të tyre, por është aspekt i së drejtës që shkon bashkë me të drejtën për informacion.
Në rastin konkret, ky parim vlente edhe më shumë, pasi që ai dyshohej bazuar në thashetheme të paqarta siç ishte dëshmuar me faktin që gazetari asnjëherë nuk ishte akuzuar zyrtarisht. Për më tepër, policia kishte sekuestruar një sasi shumë të madhe të materialeve, nuk i kishte evidentuar ato dhe kishte humbur disa nga dokumentet të cilat ishin gjetur vetëm pas shtatë muajsh. Për këto arsye gjykata vendosi në favor të gazetarit.


Nuk duhet supozuar që një burim ka vepruar në keqbesim

Në mungesë të fakteve nuk duhet të supozohet që një burim ka vepruar në keqbesim.


Financial Times dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar



Rasti ka të bëjë me katër gazeta britanike dhe një agjenci lajmesh të cilat ishin urdhëruar nga gjykatat vendore të dorëzonin një dokument që mund të çonte në identifikimin e një prej burimeve të tyre [viii] .
Më 2001, gazetari i Financial Times pranoi një dokument të rrjedhur nga një burim i mbrojtur që tregonte për mundësinë që një kompani belge të blinte një kompani tjetër. Gazetari i kishte telefonuar kompanisë për ta informuar për dokumentin që e posedonte dhe se planifikonte ta publikonte. Një shkrim i publikuar në portalin e njërës prej gazetave, duke iu referuar materialit të rrjedhur, thoshte se kompania ishte përfshirë në një komplot me qëllim që ta blinte kompaninë tjetër.
Kompania blerëse kërkoi me sukses nga gjykata vendore që dokumenti i rrjedhur të zbulohej me qëllim që të identifikohej burimi. Sipas gjykatave vendore, burimi qëllimisht kishte rrjedhur një ‘shpifje vdekjeprurëse’ me pasoja të rënda për integritetin e tregut dhe se dokumenti duhej zbuluar sepse ishte në interes të drejtësisë për të parandaluar një vepër penale. Mediumet nuk e zbuluan burimin dhe iu drejtuan GjEDNj-së nën pretendimin që kërkesa për zbulimin e burimit ishte në kundërshtim me të drejtën e tyre për të mbrojtur burimet.
GjEDNj-ja vlerësoi se edhe pse urdhri për zbulim të burimeve nuk u ekzekutua, ai përsëri përbënte ndërhyrje në të drejtën e lirisë së shprehjes së gazetarëve. Sipas gjykatës, urdhri për zbulimin e burimit kishte ndikim të dëmshëm jo vetëm në burimin e informacionit, por edhe te vetë gazetat. Kjo sepse reputacioni i mediave në fjalë nëse do të zbulohej burimi ka mundur të dëmtohet në sytë e burimeve potenciale në të ardhmen dhe të vetë publikut, i cili ka të drejtë të pranojë informata përmes burimeve anonime. GjEDNJ-ja vendosi në favor të mediumeve dhe vlerësoi se gjykatat vendore në mungesë të fakteve nuk duhet të supozojnë që një burim ka vepruar në keqbesim.


Përgjimi i mediumeve mund të bëhet vetëm kur ekzistojnë prova

Përgjimi i telefonatave të gazetarëve dhe kontrollimi në shtëpitë dhe zyrat e mediumeve duhet të autorizohet kur ekzistojnë prova.


Ressiot dhe të tjerët kundër Francës



Rasti ka të bëjë me pesë gazetarë që në atë kohë punonin në gazetën ditore sportive L’Equipe dhe revistën javore Le Point. [ix] Më 2004 kishte filluar një hetim rreth pretendimeve për doping kundër anëtarëve të ekipit të çiklistëve Cofidis. Le Point kishte botuar një artikull që prezantonte pasazhe të tëra të transkripteve të përgjimeve telefonike të bëra gjatë hetimeve nga njësia kundër drogës [policia].
Prokurori publik kishte urdhëruar kontrollimin e zyrave të L’Equipe dhe Le Point duke shpresuar se do të gjente gjurmë të dokumenteve të rrjedhura. Pas ankesës së gazetarëve, një gjykatë vendore vendosi se kontrollimi dhe sekuestrimi i disa materialeve të gazetarëve ishte veprim legjitim, i nevojshëm dhe proporcional me qëllimin e ndjekur dhe me nevojën e gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre. Gazetarët iu drejtuan GjEDNj-së nën pretendimin se përgjimi dhe kontrollimi i tyre përbënte shkelje të së drejtës së lirisë së shprehjes.
Gjykata vërejti që autoritetet kishin ndërmarrë veprimet kundër gazetarëve relativisht vonë, në shtator 2004 dhe janar 2005, përderisa shkrimet ishin botuar në janar dhe prill 2004. Rrjedhimisht, qëllimi i vetëm i kontrollimeve dhe përgjimit të telefonatave ishte identifikimi i burimit të informacionit të botuar në gazetë. Kontrollimi dhe përgjimi i telefonatave të gazetarëve dhe kontrollimi në shtëpitë dhe zyrat e mediumeve në fjalë ishin autorizuar pa ndonjë provë që dëshmonte nevojën shoqërore urgjente. Sipas Gjykatës nuk kishte argumente të mjaftueshme për të arsyetuar kontrollimin dhe sekuestrimin e bërë dhe kështu ajo vendosi në favor të gazetarëve.

8.2 Marrëdhëniet me burimet

Gazetarët duhet të bëjnë çdo përpjekje për të mbledhur informacion nga të gjitha burimet e mundshme, në mënyrë që të garantojnë që informacioni është i saktë, i plotë dhe i paanshëm. Gazetarët duhet të jenë kritikë në zgjedhjen e burimeve dhe të sigurohen që informacioni të jetë i saktë. Gazetarët nuk duhet të bëjnë të njohur emrin e një personi, i cili ka dhënë informacion në mënyrë konfidenciale, me përjashtim të rastit kur personi ka dhënë pëlqimin në mënyrë të qartë.

E drejta për anonimitet mund të shkelet vetëm në raste të veçanta:

  • ◊ Kur ka dyshime se burimi me vetëdije ka shtrembëruar të vërtetën;
  • ◊ Kur referenca për emrin e burimit është e vetmja mënyrë për të shmangur dëme serioze dhe të pashmangshme;
  • ◊ Kur informacioni në fjalë lidhet me planifikimin e një akti kriminal.

Këshilla për zgjedhjen e burimeve:

  • ◊ Gazetarët duhet të jenë kritikë në zgjedhjen e burimeve dhe të sigurohen që informacioni të jetë i saktë.
  • ◊ Gazetarët nuk duhet të bëjnë të njohur emrin e një personi, i cili ka dhënë informacion në mënyrë konfidenciale, me përjashtim të rastit kur personi ka dhënë pëlqimin në mënyrë të qartë.
  • ◊ Gazetarët duhet të bëjnë gjithnjë të qarta rastet kur informacioni nuk është i konfirmuar.

Gazetari nuk ka të drejtë të ushtrojë shantazh ose të ofrojë shpërblim në shkëmbim të informacionit. Në rastet kur pagesa është e nevojshme për të marrë informacionin që publiku ka të drejtë të dijë, kjo duhet bërë e qartë në raportim.

8.3 Këshilla praktike për mbrojtjen e burimeve

Mbrojtja e burimeve gjithmonë është një ndër sfidat kryesore në gazetari, e sidomos në vende të vogla si ato në Europën Jug-Lindore, ku njerëzit kryesisht njohin njëri-tjetrin. Zhvillimi i teknologjisë informative dhe numri i madh i platformave sociale, ndonëse ka ndikuar që informacioni të qarkullojë më lirshëm, njëkohësisht ka vështirësuar mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.

Raste të thyerjes së fjalëkalimeve, përgjimeve të paligjshme nga autoritetet dhe rrjedhjeve të informatave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat janë të shpeshta. Për këtë arsye, gazetarët dhe mediumet inkurajohen që të ndërmarrin veprime për t’i ofruar burimeve komunikim më të sigurt. Në vijim është një listë e këshillave praktike për gazetarë që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e burimeve.

  • ◊ Gazetarët inkurajohen t’u sqarojnë burimeve rrezikun e të qenit burim gazetaresk dhe mbrojtjen ose mos-mbrojtjen ligjore në dispozicion;
  • ◊ Burimet duhet t’u ofrojnë gazetarëve informacione si rezultat i vullnetit të lirë;
  • ◊ Gazetarët inkurajohen të përdorin platforma teknologjike që ofrojnë kontakt virtual të sigurt me burimet e tyre;
  • ◊ Përveç kur është e domosdoshme që burimi t’i zbulohet redaktorit, gazetari inkurajohet ta mbajë të fshehur identitetin e burimit edhe brenda redaksisë;
  • ◊ Brenda mundësive gazetarët inkurajohen që të evitojnë kontaktin përmes adresave zyrtare të emailit ose platformave tjera teknologjike të lidhura me internetin e vendit të punës;
  • ◊ Printimi i dokumenteve brenda institucioneve shpesh lë gjurmë, andaj burimet duhet të jenë të informuara dhe ta kenë parasysh këtë rrezik;
  • ◊ Gazetarët nuk janë të obliguar t’u ofrojnë autoriteteve – pa urdhër gjyqësor - materialet bruto të pa publikuara apo transmetuara autoriteteve sepse ato mund të çojnë në identifikimin e burimeve të tyre;
  • ◊ Gazetarët, sidoqoftë, duhet të përgatiten që vendi i tyre i punës por edhe shtëpitë e tyre mund të kontrollohen, andaj duhet treguar kujdes i veçantë në sigurimin e materialeve.